Kulturë shpirtërore nga “Dropulli”

Postuar: Nëntor 6, 2010 te Kulture

Ansambli “Dropulli” në një prezantim të vlerave të kulturës popullore: kostumet, vallja tradicionale, kënga polifonike. Cilët janë njerëzit që e ruajnë këtë traditë?

 

 

Pas marrjes së trofeut “Për Diversitetin Kulturor”, valltarët e ansamblit “Dropulli” erdhën ta kërcenin “Vallen e Nuses” dhe një potpuri vallesh e këngësh polifonike në Teatrin e Operës dhe Baletit. Një valle e shtruar, me hapa të shkurtër, e kursyer në lëvizje, që vinte në pah hijeshinë dhe pasurinë e kostumeve të zbukuruara me qëndisma ari, monedha të florinjta mbi ballë e në gjoks, që mbanin veshur të rejat.
Dy vajza, që treguan në shqip e greqisht një historik për këtë trashëgimi shpirtërore, sqaruan se “serioziteti dhe pasuria e veshjes nuk lejojnë shumë lëvizje” e sidomos për nusen, që qysh nga ky moment fillon e i bie mbi shpatulla barra e familjes.
Edhe në vallet e tjera, që merrnin emrin nga kënga që i shoqëronin: “Kostandas”, “Vllaha”, “Kleftes”, “Aleksandra”, vallja e burrave “Osman Taga”, ajo e vajzave “Karakaksa” kërceheshin në rreth dhe vetëm prijësi i valles kishte liri për të realizuar figura të ndryshme.
Veshja është elementi më i fortë i trashëgimisë popullore, që edhe brezi i ri i këtij ansambli e ka ruajtur. Një tipar që çmohej sidomos te veshjet e djemve, me fustanellë, jelek, opinga, kësulë.
“Janë treguar të kujdesshëm në ruajtjen e veshjes me të gjithë elementët. Edhe në riprodhim janë treguar shumë kërkues”, shpjegon etnografia Afërdita Onuzi, që para një muaji, bashkë me anëtarë të tjerë të Komitetit të Trashëgimisë Shpirtërore e vlerësoi “Vallen dropullite të vajzave” ndër 7 kryeveprat e Trashëgimisë Shpirtërore Kombëtare.

Pak shkarje nga tradita u vu re te veshjet e grupit polifonik i Dropullit, te burrat e veshur me uniformë me kostume të zinj e këmisha akull të bardha, e gratë që sipër të veshura me kostum “alla frënga”, në këmbë mbanin kostume të zeza lustrafini. Onuzi nuk e përjashton mundësinë e pranimit të këtij elementi të ri në këto veshje, kur dihet se ky komunitet e “ka rrahur herët kurbetin”.
Kur e pyesim për arsyen e këtij përjashtimi këngëtarin Dhimitër Çami, që mban veshur kostumin, nga shprehia që i merr portreti në atë moment sikur thotë: “E po, s’u bë qameti”. Ai ka 22 vjet që këndon e kërcen në ansambël, tani është në pension, por prapë do vazhdojë të këndojë e të kërcejë “sa të ketë këmbë e duar”.
Këngët polifonike, të shoqëruara nga klarineta, marrin jetë nga tema e kurbetit, ndarja me njerëzit, pritja, dhimbja, nostalgjia, që në këtë koncert hynë vetëm në zemrat e atyre që njihnin gjuhën. Vetëm një ose dy këngë u kënduan në gjuhën shqipe.
Prezantuesja shpjegoi më tepër se “kënga polifonike i ka rrënjët te kori i lashtë grek, te drama antike. Gjatë rrugëtimit të saj fiton dhe humbet elemente, por nuk humbet karakteristikat bazë. Merr motive dhe tematikë nga cikli jetësor, por nuk harron të këndojë për çdo ngjarje historike dhe shoqërore, që shënjon jetën e komunitetit”.
Për ansamblin nuk duket aq e lehtë mbajtja gjallë e traditës.
Mungesë fondesh, infrastrukture, kapaciteti njerëzor. Mihal Maluqi, që është përgjegjës i ansamblit, në profesion është mësues fizike në gjimnazin e Derviçanit, nuk mund ta sigurojë jetesën nëpërmjet aktivitetit të ansamblit.
Ai përgatit valltarët, ai përpunon këngët, ai i bën të gjitha prej 16-17 vitesh. Maluqi është i vetëdijshëm se kjo punë ndjen nevojën e një studiuesi, e një profesionisti, kur thotë: “Nuk mund të themi se vallja ka qenë ashtu si e përcjellim ne.” Ashtu si përgjegjësi i ansamblit, vepron edhe një valltar, Jorgo Petriti, 20 vjeç.
Në ansamblin e Dropullit ka 4 vjet që ka filluar. Vazhdon shkollën për letërsi dhe kulturë greke dhe në të njëjtën kohë punën në një kompani celularësh. “Vallja më ka pëlqyer që i vogël. Në fshatrat e Dropullit, që të vegjël i përgatisin fëmijët me muzikën popullore, me gërnetën, me daullet që kërcasin. Kështu e kemi mësuar vallen”, tregon ai.
Për të vazhduar më tej me pasionin e tij, Jorgoja ndoshta do të donte kushte edhe më të mira, e ndoshta një godinë të posaçme ku të përgatiten dhe jo të vazhdojnë të bëhen provat “ku t’i jepet mundësia”. Kalendari i aktiviteteve të ansamblit gjatë një viti, vendoset sipas festave kombëtare që kanë Greqia e Shqipëria dhe të ftesave të festivaleve folklorike.
Kjo është hera e parë që Ansambli i Dropullit bashkëpunon me Ministrinë e Kulturës për një aktivitet si ky. Në muajin shtator, kjo ministri, e vlerësoi “Vallen Dropullite”, ndër 7 kryeveprat e trashëgimisë kulturore. Ky është një status i veçantë që i jepet kësaj pasurie, qoftë edhe financiarisht, për mbrojtjen dhe zhvillimin e saj.
Para dhe pas viteve ’90
Kostando Baruta, organizatorja e këtij aktiviteti, profesore në Katedrën e Gjuhës dhe Qytetërimit Grek të Universitetit të Gjirokastrës tregon për dy lloje vështirësish që ka pasur Ansambli “Dropulli”, para dhe pas viteve ’90.
“Ka qenë e vështirë për të ruajtur traditat, filloi asimilimi i gjuhës greke dhe në disa raste nuk lejohej as të flisje greqisht përveç se në familje. Pastaj këngët, vallet janë përshtatur me ideologjinë komuniste, dhe në njëfarë mënyre jemi larguar pak nga tradita. Tani kohët e fundit, vetë njerëzit, vetë komuniteti është përpjekur dhe tani po kthehemi tek tradita, që kishim”.
Kurse, tani, problemi është mbështetja dhe tek shtrirja gjeografike e aktiviteteve.
Ansambli “Dropulli” ka 50 interpretues nga mosha 8-9 vjeç deri në moshën 60-vjeç, që janë kryesisht këngëtarët e këngës polifonike. Në të bëjnë pjesë, grupi i djemve valltarë, grupi i vajzave dhe i djemve.

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s